Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar probleme të shumta në furnizimin me energji elektrike në disa zona të juglindjes së Shqipërisë. Sipas Dispeçerisë Rajonale Korçë, disa fidere janë stakuar për shkak të defekteve teknike, duke lënë pa energji elektrike një numër të konsiderueshëm abonentësh, kryesisht në zonat rurale.
Probleme janë evidentuar në fidërin Cërrvenakë të nënstacionit Gur i Kuq, i stakuar për shkak defekti. Ndërkohë, fidëri 4 i nënstacionit Lozhan është pjesërisht në punë, duke lënë pa energji 55 abonentë ruralë në zonat Zerec, Kopesh, Dushar dhe Dobërcan. Pa energji është edhe fidëri 9 i këtij nënstacioni, ku rreth 400 abonentë ruralë në zonat Zvarisht, Tresovë dhe Dolan janë prekur nga ndërprerja.
Ndërprerje raportohen edhe në fidërin komunal 3 të nënstacionit Maliq, që furnizon zonat Dardushë, Nicë dhe Sterkanj, me rreth 80 abonentë ruralë. Në nënstacionin Leskovik, fidëri JO6 ka lënë pa energji zonat Gjyrakare, Postenan dhe Peshtan, me 4 abonentë ruralë.
Po ashtu, në nënstacionin Ersekë, fidëri 3 ka ndërprerë furnizimin me energji në zonat Kamnik, Piskal, Ndërmarrje, Shijan dhe Kaduc, duke prekur 50 abonentë ruralë. Situatë problematike paraqitet edhe në Vithkuq, ku fidëri i nënstacionit Rehovë është pjesërisht pa energji, duke prekur rreth 250 abonentë në zonën Lekas.
Pa energji elektrike është edhe fidëri komunal Tulla (Pasurim) në nënstacionin Maliq, që furnizon zonat Kolanec dhe fshatin Maliq, me rreth 300 abonentë ruralë. Gjithashtu, për shkak defektesh teknike janë stakuar fidëri i fshatit Rehovë, fidëri Potgozhan i nënstacionit Gur i Kuq (4 abonentë ruralë), si dhe fidëri 4 i nënstacionit Mollas dhe fidëri 4 i nënstacionit Bilisht.
Në total, 1 143 abonentë (familje) rezultojnë aktualisht pa energji elektrike në qarkun e Korçës dhe zonat përreth. Autoritetet bëjnë me dije se në shumicën e zonave rrjeti elektrik është i amortizuar, ndërsa grupet e punës janë në terren për evidentimin dhe riparimin e defekteve.