Një zjarr i madh përfshiu mbrëmjen e djeshme ambientet e tregut te “5 Maji”, duke shkrumbuar mbi 50 dyqane dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Një prej tregtarëve të prekur, Ferdinant Martaneshi, tregon për mediat sa është dëmi i shkaktuar ndaj tij.
“Unë kam pasur dyqanin më të vogël këtu. Malli është më tepër se 200 milionë lekë, unë më i vogli, po të tjerët që kanë më shumë. Unë tregtoja çorape dhe geta, streçe, veshmbathje. Unë kisha një, vajza kishte dy, u dogj komplet, ka katër kontejnerë brenda” u shpreh Martaneshi.
Sipas tij, tregtarët janë zhvendosur në këtë zonë pas ndërtimit të pallateve pranë qendrës tregtare “Emerald” dhe janë vendosur në kapanonet e tregut, që siç tha ai, nuk mund të siguroheshin.
“Nuk na i siguronin, kemi shkuar te sigurimet nuk e merrnin përsipër me këtë lloj ndërtimi këtu. Unë paguaja 517 mijë lekë qira, vajza mbi 1 milionë lekë. Nga shteti kërkojmë të verifikojë, nuk ka ardhur zjarri nga ne, por për faj të këtyre, te panelet e këtyre”, tha ai.
I pyetur nëse ka pasur interes për ndërtim të ndonjë pallati në këtë zonë, Martaneshi tha se nuk ka informacion, por theksoi se ka dëgjuar fjalë për diçka të tillë.
“Asgjë nuk di. Llafe qarkullojnë, por që ta dish kështu realisht, asnjëri nuk e di”, tha ai, ndërsa shtoi se dëmi që ka pësuar është gati 200 milionë lekë.