Dështimi për të shuar flakët te ‘5 Maji’! 50 magazina me rroba dhe 13 zjarrfikëse

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 09.01.2026, 09:00

Zjarri që shkatërroi tregun e rrobave në zonën e “5 Majit” në Tiranë që nga ora 17:00 deri në orën 23:00 mbeti i pakontrolluar për 6 orë rresht, duke djegur 50 magazina dhe një numër të konsiderueshme të mallrave. Për këtë periudhë, tregu i madh u përball vetëm me 11 mjete zjarrfikëse nga MZSH dhe dy zjarrfikëse nga Ushtria, një kapacitet qesharak për një vatër të kësaj madhësie. Forcat nuk u shtuan në kohë, ndërsa flakët kaluan lirshëm nga një kapanon te tjetri, duke treguar qartë se menaxhimi i emergjencës ishte jo vetëm i pamjaftueshëm, por edhe i papërgjegjshëm.

Mungesa më shqetësuese ishte mosaktivizimi i mjeteve zjarrfikëse nga ajri të Forcave të Armatosura, të cilat mund të kishin frenuar përhapjen e flakëve dhe të kishin parandaluar dëmet kolosale. Për këtë përgjegjësinë e kanë Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara, dhe Ministria e Mbrojtjes me në krye Pirro Vengu, të cilët nuk përdorën kapacitete shtesë që kishin në dispozicion. Një vatër zjarri urbane, e ndezur për 6 orë rresht me 50 magazina me rroba të shumta, nuk mund të trajtohej me mjete minimale në terren kjo është një dështim i qartë operativ dhe planifikues.

Pas shuarjes së flakëve pas 6 orësh zjarr, në terren, mungesa e mbikëqyrjes ishte e dukshme, zona nuk u izolua siç duhej, nuk u krye ftohje e thellë e vatrës dhe nuk u pastruan menjëherë mbetjet e rrezikshme. Materialet e djegura mbetën në vend, ndërsa nuk dihet nëse rrjeti elektrik u çaktivizua plotësisht, një neglizhencë që rriti rrezikun e riaktivizimit të flakëve gjatë ditës së sotme.

Pse nuk u izolua totalisht zona pas zjarrit? Pse nuk u monitorua pas shuarjes së flakëve mbrëmë, kjo vatër zjarri me dëme kolosale? Pse në vendin e ngjarjes punuan 11 zjarrfikës të MZSH e 2 të ushtrisë? Zjarri në “5 Maj” nuk ishte thjesht një fatkeqësi, por një provë e dështuar e mënyrës se si u administrua një emergjencë e madhe, duke lënë pas jo vetëm dëme kolosale ekonomike, por edhe një sërë përgjegjësish që kërkojnë llogari dhe duke shtuar dyshimet se ngjarja mund të ketë qenë e qëllimshme për t'u hapur vend kullave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit