Një incident i rëndë është shënuar në burgun e Reçit, në Malësinë e Madhe, ku dy të burgosur, Astmer Bilali dhe Mikel Thani, janë përfshirë në një konflikt fizik mes tyre, duke pësuar dëmtime të rënda dhe duke përfunduar për trajtim mjekësor në spitalin e burgut në Tiranë.
Sipas burimeve zyrtare, sherri ka ndodhur gjatë kohës që të burgosurit, mes tyre edhe Safet Bajri, po konsumonin drekën në ambientet e institucionit. Fillimisht mes Bilalit dhe Thanit ka lindur një konflikt verbal, i cili më pas ka degjeneruar në përplasje fizike. Gjatë sherrit, Mikel Thani dyshohet se është ndihmuar edhe nga disa të burgosur të tjerë, shokë të tij.
Pas përshkallëzimit të situatës, rojet e burgut kanë ndërhyrë duke neutralizuar konfliktin dhe duke bërë ndarjen e personave të përfshirë. Si pasojë e dëmtimeve të rënda të pësuara, Astmer Bilali dhe Mikel Thani janë transportuar me urgjencë drejt Tiranës për të marrë mjekim të specializuar në spitalin e burgut.
Mikel Thani është arrestuar në vitin 2015, pasi dyshohet për plagosjen e prindërve të ish-të fejuarës së tij dhe mbesës së tyre. Ndërkohë, Astmer Bilali ndodhet në qeli në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.
Bilali u arrestua fillimisht në shtator të vitit 2018 gjatë operacionit policor “OAZ”, së bashku me 10 anëtarë të fisit Bajri, për akuza të rënda si prodhim dhe armëmbajtje pa leje, organizim i lotarive të palejuara, pastrim parash, gjobëvënie, si dhe prodhim dhe shitje narkotikësh. Në prill të vitit 2019, babai dhe xhaxhai i tij, Astrit dhe Brahim Bilali, u vranë në atentat.
Aktualisht, ndaj Astmer Bilalit rëndojnë akuza për sigurim të kushteve për të kryer vrasje të mbetur në tentativë ndaj shtetasve Dorjan Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili. Ai ndodhet në paraburgim pas megaoperacionit “Metamorfoza”, të zhvilluar në korrik të vitit 2023.
Autoritetet e burgjeve kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive lidhur me këtë incident të rëndë brenda institucionit penitenciar.