Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e sotme zonën e “5 Majit” në Tiranë, duke shkrumbuar rreth 50 magazina dhe duke shkaktuar dëme kolosale për dhjetëra biznese. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se nuk bëhet fjalë për treg rrobash të përdorura, por për magazina me mallra të ndryshme, kryesisht enë guzhine dhe produkte të tjera me vlerë miliona dollarë.
Sipas tregtarëve, zjarrfikëset kanë qenë të shumta por vetëm “sa për numër”, pasi shumica e mjeteve kanë qenë me rezerva të pamjaftueshme uji. Në disa raste, mjete zjarrfikëse kanë mbërritur pa ujë, duke e bërë ndërhyrjen thuajse të pamundur.
Tregtarët janë detyruar të ndërhyjnë vetë, duke përdorur kova me ujë në përpjekje të dëshpëruar për të ndalur flakët.
Ndërkohë, zjarri vijon të mbetet problematik. Pronarët e magazinave që ende nuk janë përfshirë nga flakët po tentojnë të nxjerrin mallrat për t’i shpëtuar shkatërrimit, ndërsa tymi i dendur ka përfshirë të gjithë zonën.
Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit, është kërkuar ndihmë shtesë nga shërbimet zjarrfikëse të Elbasanit dhe Vorës, si dhe nga Forcat e Armatosura. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta.