Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 08.01.2026, 22:50
Situata në disa zona të Vlorës vijon të mbetet kritike si pasojë e përmbytjeve të ditëve të fundit. Uji ka pushtuar banesa, toka bujqësore dhe stalla bagëtish, duke vënë në rrezik serioz jetën dhe pronën e banorëve, të cilët shprehen se po përballen me një realitet të rëndë.
Qytetarët e prekur tregojnë se, pavarësisht thirrjeve për evakuim, shumë prej tyre refuzojnë të largohen nga shtëpitë, pasi kanë frikë se do të humbasin bagëtinë dhe pasurinë e vetme që u siguron mbijetesën.
“Bagëtitë i hoqa, unë vetë aty do rri, te bagëtitë. Një lopë shkon 3 milionë e gjysmë. Nuk mund t’i lë,” shprehet një banor, duke theksuar dëmin e madh ekonomik që rrezikon.
Të tjerë banorë flasin me shqetësim të thellë për gjendjen alarmante, duke akuzuar mungesën e mirëmbajtjes së infrastrukturës, sidomos të kanaleve kulluese, të cilat janë çarë dhe nuk po përballojnë sasinë e ujit.
“Janë çarë kanalet, prite kur të vijë uji te shtëpia. Nuk kemi parë ndonjëherë një situatë të tillë. Kam bagëti, por s’kam ku t’i çoj, i kam futur në banesë. Sot do flej një sy hapur e një mbyllur,” thotë një tjetër banor.
Ndërkohë, autoritetet lokale vijojnë thirrjet për evakuimin e familjeve që ndodhen në zonat më të rrezikuara, për të shmangur pasoja më të rënda. Megjithatë, për shumë banorë, largimi nga shtëpitë nënkupton humbjen e gjithçkaje, çka i lë ata të përballur mes frikës për jetën dhe mbrojtjes së pronës.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR