Pas më shumë se një dekade ndalim, gjuetia në Shqipëri do të lejohet sërish. Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin “Për gjuetinë”, i cili tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare, duke i dhënë fund moratoriumit që kishte skaduar në gusht të vitit të kaluar.
Në vend të shtyrjes së mëtejshme të ndalimit total, ligji i ri parashikon lejimin e gjuetisë në zona të caktuara, të cilat do të jepen me koncesion për subjekte private përmes procedurave konkurruese. Afati i kontratave nuk do të jetë më pak se 10 vjet, me arsyetimin se nevojiten të paktën 5 vjet për përgatitjen dhe menaxhimin e gjahut. Subjekti fitues do të jetë njëkohësisht edhe menaxhues i zonës së gjuetisë.
Sipas përcaktimeve ligjore, në fazën e parë gjuetarë do të jenë vetëm shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 25 vjeç, janë të pajisur me armë me leje dhe me leje të posaçme gjuetie. Statusi i zonave të gjuetisë mund të hiqet në rastet e sigurisë kombëtare, nevojave të zhvillimit rural, keqpërdorimit apo moszbatimit të kontratës nga qiramarrësi.
Ekspertë të mjedisit dhe organizata mbrojtëse shprehin skepticizëm për efektivitetin e ligjit të ri. Sipas tyre, projektligji nuk sjell ndryshime thelbësore krahasuar me nismat e mëparshme të moratoriumit dhe mungojnë të dhënat konkrete për ndikimin real që ndalimi disa herë i shtyrë pati në përmirësimin e jetës së egër.
Nga ana tjetër, pranohet se gjatë viteve të moratoriumit gjuetia e paligjshme vijoi, shpesh përmes formave të brakonazhit, përdorimit të imituesve për shpendët dhe madje edhe me përfshirjen e gjuetarëve të huaj, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e masave ndëshkuese.
Ligji i ri parashikon gjoba të larta për shkeljet, që variojnë nga 500 mijë deri në 1.3 milionë lekë, për rastet kur gjuhen kafshë jashtë listës së lejuar ose pa leje gjuetie. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse këto masa do të jenë më efektive në frenimin e gjuetisë së paligjshme.
Ndërkohë, rikthimi i gjuetisë shihet edhe si një mundësi ekonomike. Në vitin 2017, Federata Kombëtare e Gjuetisë kishte propozuar që gjuetia të kthehej në një sport të licencuar kundrejt pagesës, që sipas vlerësimeve mund të sillte deri në 12 milionë euro të ardhura në vit për buxhetin e shtetit.