SI SOT/ Karçanaj i jepte 1 mld lekë Endri Meksit dhe dëmtonte buxhetin e shtetit!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 08.01.2026, 16:34

Sot rikujtojmë denoncimin e bërë më 8 janar 2021, kur publikuam një investigim që ngrinte dyshime të forta për abuzime me tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e drejtuar në atë kohë nga Mirlinda Karçanaj. Karçanaj vijonte të zbatonte detyra të diktuara politikisht, duke shpërndarë fonde publike përmes procedurave tenderuese të dyshimta, me një dëm të pastër ekonomik për shtetin shqiptar prej rreth 400 milionë lekësh të vjetra me TVSH.

Rasti konkret lidhej me një tender për “Përmirësimin e sigurisë së informacionit për infrastrukturën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”, me vlerë afro 1 miliard lekë të vjetra me TVSH. JOQ raportoi se në këtë procedurë kishin marrë pjesë katër kompani, por fituese u shpall ajo e Endri Meksit, djali i ish-kryeministrit të Partisë Demokratike, Aleksandër Meksi. Sipas dokumenteve të tenderit, një prej kompanive konkurruese kishte ofruar rreth 400 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak se oferta fituese.

Pavarësisht ofertës së ulët, firma u skualifikua, dhe u favorizua kompania e Meksit, duke ngritur dyshime serioze për paracaktim të fituesit dhe manipulim të garës. Denoncimi i vitit 2021 theksonte se procedura kishte të gjitha elementët e një tenderi të qepur, ndërsa institucionet e drejtësisë nuk kishin reaguar. Pesë vite më pas, zhvillimet e fundit e bëjnë edhe më domethënës denoncimin e bërë nga JOQ në janar 2021. Sot, Mirlinda Karçanaj ndodhet nën masën e “arrestit të shtëpisë” nga SPAK.

Ky i fundit po heton një sërë procedurash tenderuese të AKSHI-t për dyshime mbi abuzime, paracaktim fituesish dhe përfitime miliona euro. Hetimet aktuale, që përfshijnë dhjetëra procedura dhe zyrtarë të institucionit, tregojnë se paralajmërimet e JOQ pesë vite më parë nuk ishin thjesht akuza politike, por sinjale të hershme të një skeme që sot po zbërthehet nga drejtësia.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit