Prokuroria e Durrësit ka nisur hetim kryesisht pas situatës së rëndë të krijuar nga reshjet e dy ditëve të fundit, që lanë nën ujë qytetin dhe zonat përreth, me rreth 250 hektarë tokë të përmbytur dhe mbi 1 mijë familje të prekura. Hetimi përfshin edhe vdekjen e një 54-vjeçari, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, i cili dyshohet se humbi jetën teksa ishte në terren për të verifikuar situatën e krijuar nga vërshimet e ujit. Prokuroria po heton për veprat penale “shkatërrim i pronës përmes përmbytjes” dhe “shpërdorim detyre”.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se përmbytjet janë shkaktuar nga mosfunksionimi i hidrovorit, ndërkohë që tenderi për ndërtimin e hidrovorit të ri, me vlerë 19 milionë euro, është fituar nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe vëllezërit Hysa. Kompania Adriatik zotërohet 50% nga Petrit Kovaçi, babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve. Kovaçi ka lidhje familjare me Ceno Klosin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe aktualisht deputet i qarkut Fier, ndërsa Spartak Kovaçi përmendet si person i afërt me Belinda Ballukun, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, për të cilën SPAK ka kërkuar autorizim nga Kuvendi në kuadër të një hetimi për tendera.
Ndërkohë, referuar të dhënave të Open Data, kompania 2T zotërohet 20% nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, kryetar aktual i Bashkisë Tepelenë dhe ish-drejtues i Gardës së Republikës. Kompania Vëllezërit Hysa administrohet nga Besnik Hysa dhe Dhiogjen Kristo. Prokuroria po heton nëse nga veprimet apo mosveprimet e institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e situatës janë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë publike dhe pronë private, si dhe nëse këto dështime kanë sjellë si pasojë humbjen e jetës së qytetarit Astrit Hysenaj duke rënduar përgjegjësitë penale të personave me funksione publike.