Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK dhe me një kërkesë arresti në pritje që Kuvendi nuk e ka shqyrtuar ende, ka dalë sot në terren tre ditë pas përmbytjeve duke u shfaqur si “thellësisht e prekur” nga situata në Urën e Mifolit.
Balluku e shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, dhe kryetarja e bashkisë Vlorë Brunilda Mërsini, ofruan një shfaqje nga Ura i Mifolit ku të tre folën për masa, ndërkohë që prej 3 ditësh, shumë zona në Shqipëri janë të përmbytur, teksa banorët janë lënë në mëshirë të fatit, të izoluar, pa ndihmë.
Dalja e saj nuk erdhi për të dhënë llogari për akuzat për keqmenaxhim fondesh dhe shpërdorim të taksave të shqiptarëve, por për të treguar shqetësimin publik me një mimikë të kujdesshme dhe disa fjalë të matura për kamerat sa për sy e faqe, duke dhënë shfaqje sikur është shumë e mërzitur nga situata.
Rrugët dhe veprat infrastrukturore që kanë konsumuar miliona euro për t’u ndërtuar dhe rinovuar, shumë prej të cilave janë jashtë funksionit pas përmbytjeve, nuk duket se e shqetësojnë aq shumë ministreshën. Në vend të përgjegjësisë për paratë e qytetarëve, Balluku zgjodhi të tregojë show.
Ndërsa qytetarët përballen me pasojat e motit të keq, një ministre e akuzuar për vjedhje të taksave dhe keqmenaxhim të fondeve vazhdon të shfaqet për show, ndërsa mbrohet nga Kryeministri Edi Rama. Në politikë, duket se disa kriza zgjidhen jo me llogari dhe përgjegjësi, por me shprehje shqetësimi dhe një dalje të kuruar për kamerat.