Pronari i lokalit nxjerr jashtë gruan me dy fëmijë: Tha nuk shërbejmë për ju

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 08.01.2026, 18:47

Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë sonë për të bërë një denoncim publik lidhur me trajtimin që thotë se i është bërë në një lokal në njësinë nr. 5 në Tiranë, përballë kopshtit “Sunny Hill”. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në lokain e quajtur “DSD bar-kafe” sot rreth orës 17:00, në kushte të vështira moti me temperatura nën zero, shi dhe breshër.

Ajo thotë se ka hyrë në lokal së bashku me dy fëmijët e saj të vegjël për të konsumuar diçka të ngrohtë, ndërsa priste bashkëshortin që të vinte t’i merrte. Duke theksuar se lokali ishte bosh në atë moment, qytetarja thotë se stafi i ka kërkuar të largohej.

Ajo e cilëson këtë veprim si diskriminues dhe jo human, duke theksuar se është e papranueshme që një nënë me dy fëmijë të nxirret jashtë në mot të keq.

Në denoncimin e plotë ajo shkruan:

"Sot, rreth orës 17 në një lokal tek njësia nr 5 , përballë me kopështin “Sunny Hill’, në kushte shumë të vështira moti, me temperatura nën zero dhe me shi e breshër që binte pa pushim, hyra në një lokal për te pire diçka te ngrohte bashke me dy fëmijët e mi sa te vinte bashkëshorti te na merrte. Lokali ishte plotësisht bosh.

Megjithatë, stafi na kërkoi të largoheshim, duke na thënë fjalë që nuk do t’i harroj kurrë: “Nuk lejojmë nena me fëmijë.” Arsyeja? Sepse, sipas tyre, fëmijët bëjnë rrëmujë edhe pse në atë moment nuk po shqetësonin askënd dhe theksoj se nuk kishte asnjë tavolinë veç pronari dhe një kamariere.

Të nxjerrësh një nënë me dy fëmijë jashtë, në të ftohtë, në shi e breshër, nga një lokal bosh, nuk është thjesht mungesë humanizmi, është diskriminim i pastër. Emri i lokalit është “DSD Bar-Cafe”. Mori porosinë kamerierja dhe pronari ja bëri me shenjë që thuaji kemi rezervim. Po ta shikosh tani as rezervim asgjë. Veç lokali bosh është. Fëmijët e mi janë 1.5 dhe 3-vjeç.

Ky denoncim është për të ngritur zërin, sepse askush nuk duhet të trajtohet në këtë mënyrë, e aq më pak fëmijët."

Reagimi i pronarit:

"Përshëndetje stafit të JOQ, jam pronari i lokalit. Ju po bëni detyrën tuaj dhe unë nuk dua t’ju shqetësoj, por dua të sqaroj faktet.

Kjo zonjë ka ardhur 4–5 herë në lokalin tim dhe çdo herë i ka lënë fëmijët të bëjnë çfarë të duan. I kemi kërkuar disa herë me edukatë që të tregojë kujdes, pasi fëmijët hyjnë te frigoriferi i banakut dhe ekziston rreziku i rrymës. Nëse u ndodh diçka, unë shkoj në burg, jo ajo.

Lokali im ka fëmijë gjatë gjithë ditës. Nuk po them që fëmijët e saj janë të vetmit të pabindur, por prindërit e tjerë të paktën bëjnë një përpjekje për t’u thënë “mos”. Përveç kësaj, më janë thyer zbukurime, janë bërë pis kolltukët dhe ka pasur dëme të tjera.

Unë i fola me shumë edukatë, sepse nuk jam kafshë, dhe i thashë që nuk mund ta pranoja më në lokal. Kjo zonjë më kërcënoi duke më thënë se punon në shtet dhe se do ma mbyllte lokalin. Më nxori edhe bexhin e punës, sikur ta kishte jetën time në dorë.

Në fund të ditës, unë kam biznesin tim dhe kam rregullat e mia. Fakti që dikush blen një kafe, qoftë edhe 1 mijë lekë, nuk do të thotë se më ka blerë shpirtin.

Nuk dua t’ju dërgoj video ku ajo nxjerr bexhin e punës, sepse në fund të ditës i hap probleme asaj dhe vetes sime.

Po ju shkruaj me emrin tim, nuk kam pse të fshihem, sepse mendoj se jam në të drejtën time. Më pas, ju e vlerësoni vetë. Gjithsesi, faleminderit për punën që bëni, ju ndjek."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit