Situatë emergjente nga përmbytjet: Evakuim i menjëhershëm në Vlorë, Fier dhe Durrës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.01.2026, 12:54

Situata e përmbytjeve në disa zona të vendit është përkeqësuar ndjeshëm, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuim të menjëhershëm të banorëve në disa bashki.

Banorët e Njësisë Administrative Novoselë në Vlorë kanë marrë urdhër evakuimi për shkak të rrezikut të lartë nga përmbytjet e lumit Vjosa, i cili sipas raportimeve ka kaluar nivelin e 9 metrave lartësi, duke paraqitur rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se evakuimi po kryhet për shkak të rrezikut të menjëhershëm dhe do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefekturën dhe strukturat e emergjencave civile në nivel vendor.

Ndërkohë, probleme të ngjashme janë raportuar edhe në zona të tjera të vendit, përfshirë Fierin dhe Memaliajn. Autoritetet kanë shpallur evakuim të menjëhershëm edhe në Bashkinë Durrës, konkretisht në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, si pasojë e situatës së rënduar nga përmbytjet dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për qytetarët.

Po ashtu, evakuim i menjëhershëm është urdhëruar edhe për banorët e Njësisë Administrative Ferras në Bashkinë Fier, në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar dhe planeve vendore të emergjencave.

Sipas legjislacionit në fuqi, kryetarët e bashkive përkatëse janë autoritetet përgjegjëse për urdhërimin e evakuimit në territorin administrativ. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që çdo komunikim apo kërkesë për ndihmë ta drejtojnë pranë strukturave publike në terren.

Në procesin e evakuimit, prioritet do të kenë:

  • fëmijët,

  • të moshuarit,

  • personat me aftësi të kufizuara,

  • familjet që ndodhen në zona të izoluara.

Transporti i banorëve po sigurohet nga mjetet e bashkive, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), si dhe Forcat e Armatosura.

Strehimi dhe asistenca për qytetarët e evakuuar do të menaxhohen nga bashkitë përkatëse, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë shëndetësore dhe strukturat e shërbimeve sociale, duke garantuar regjistrimin, ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore sipas nevojës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit