Fushkuqja, një zonë që administrativisht i përket Bashkisë Lezhë, po përballet edhe një herë me pasojat e rënda të përmbytjeve. Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar daljen e ujit nga shtrati, duke përmbytur dhjetëra banesa, toka bujqësore dhe duke vënë në rrezik jetën e banorëve.
Shtëpi të mbuluara nga uji, mobilie të shkatërruara, ushqime të prishura dhe ara të tëra nën ujë, kjo është panorama reale në Fushkuqe. Për shumë familje, këto përmbytje nuk janë thjesht një fatkeqësi natyrore, por një histori që përsëritet vit pas viti, pa zgjidhje konkrete.
Ndërkohë, reagimi institucional mbetet i vakët. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia Lezhë dhe institucionet përgjegjëse, jo vetëm për ndihmë emergjente, por për zgjidhje afatgjata që do të parandalonin përsëritjen e kësaj tragjedie.