Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Durrësin gjatë orëve të fundit kanë sjellë probleme në disa zona të qytetit, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe rrezik për infrastrukturën elektrike, veçanërisht në lagjet pranë bregdetit.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë nga zona e Plazhit, shihen punonjës të shërbimit elektrik duke ndërhyrë në mjediset e përmbytura për të mbajtur nën kontroll situatën në disa pika të rrjetit. Ata shfaqen duke përdorur pompa dhe mjete rrethanore për të shmangur dëmtimin e pajisjeve dhe ndërprerjet e energjisë.
Një qytetar, i cili ka filmuar momentet e punës në terren, ka përcjellë edhe një mesazh falënderimi për punonjësit që ndodheshin në zonë:
“Një falënderim i madh për këta çunat e OSHEE-së së Plazhit në Durrës, që kanë punuar me shpirt në këto ditë të vështira për qytetin tonë. Ju lutem publikojeni, se realisht kanë dhënë shpirtin në punë.”
Ndërkohë, qyteti vijon të përballet me pasojat e motit të keq, ndërsa situata e përmbytjeve mbetet një problem i përsëritur për infrastrukturën në disa zona të Durrësit.