Administrata amerikane ka shpallur përditësimin e kalendarit të vaksinimit për fëmijët, një vendim që presidenti Donald Trump e ka shoqëruar me deklarata të forta dhe gjuhë të drejtpërdrejtë.
Në njoftimin e tij në rrjetet sociale, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara “nuk do të kërkojnë më 72 ‘shpime’ për fëmijët tanë të bukur dhe të shëndetshëm”, duke theksuar se vendi po kalon drejt një kalendari që ai e cilëson më të arsyeshëm dhe më në përputhje me shkencën.
Sipas Trump, kalendari i ri do të rekomandojë vaksinimin vetëm kundër 11 sëmundjeve që konsiderohen më serioze dhe të rrezikshme, ndërsa prindërit do të vazhdojnë të kenë të drejtën të zgjedhin nëse duan t’u japin fëmijëve të gjitha vaksinat e mëparshme.
Ai theksoi gjithashtu se sigurimet shëndetësore do të vazhdojnë të mbulojnë vaksinat, pavarësisht zgjedhjes së prindërve, duke shtuar se përditësimi “më në fund e afron SHBA-në me vendet e tjera të zhvilluara të botës”.
Trump e cilësoi ndryshimin si një reformë “me sens të përbashkët”, për të cilën, sipas tij, shumë amerikanë kanë kërkuar prej vitesh, veçanërisht prindër të cilët ai i përmendi si “MAHA Moms”.
Vendimi pritet të hapë debat të fortë në Shtetet e Bashkuara, mes atyre që e shohin si rritje të lirisë së prindërve dhe atyre që kërkojnë sqarime të mëtejshme nga komuniteti shkencor dhe institucionet shëndetësore.