Pamjet që kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga Lezha tregojnë një situatë prekëse, ku disa dele po përpiqen të kalojnë në ujë, duke tentuar të shpëtojnë nga përmbytjet që kanë pushtuar fermat dhe tokat përreth.
Banorët e zonës janë të pafuqishëm dhe të zemëruar, duke denoncuar mungesën totale të ndërhyrjes së autoriteteve lokale dhe qeverisë, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë për të mbrojtur bagëtinë dhe pronat e tyre.
Uji ka arritur nivele shqetësuese, duke përfshirë stallat e bagëtive dhe duke rrezikuar jetesën e fermerëve. “Asnjë nga institucionet nuk ka ardhur për të ndihmuar. Po shohim delet tona të përmbyten para syve tanë,” thonë banorët, të dëshpëruar dhe të pafuqishëm.
Situata dramatike në Bashkinë e Lezhës me në krye Pjerin Ndreu, nxjerr në pah mungesën e menaxhimit dhe përkujdesjes nga autoritetet, ndërsa banorët mbeten në mëshirë të fatit. Bagëtia, pasuria më e çmuar e tyre, rrezikon të shkatërrohet nën ujrat që nuk ndalen.
Ky është një apel i drejtpërdrejtë për autoritetet të cilat duhet të ndërhyjnë menjëherë për të shpëtuar delet dhe fermerët që po përballen me katastrofën.