Përmbytjet mbytin gjënë e gjallë në Durrës, pulat e ngordhura notojnë në ujë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 07.01.2026, 21:57

Situata në disa zona të Durrësit vijon të mbetet alarmante pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit. Përmbytjet kanë pushtuar banesa, oborre dhe hapësira përreth, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke rrezikuar seriozisht jetesën e banorëve.

Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur qindra pamje tronditëse nga terreni të dërguara nga qytetarët të cilët, luten për ndihmë. Në një video të dërguar së fundmi, shihen pula të ngordhura që notojnë në ujë, të mbytura nga vërshimi i papritur i reshjeve. Këto pamje tregojnë qartë se përmbytjet nuk po sjellin vetëm dëme materiale, por po shkatërrojnë edhe gjënë e gjallë, duke lënë familje të tëra pa burime minimale jetese.

Banorët shprehen se kjo situatë përsëritet sa herë ka reshje të forta. Sipas tyre, kanalet kulluese janë të bllokuara, infrastruktura është e amortizuar, ndërsa ndërhyrja e institucioneve mungon. Ata thonë se janë lënë të përballen vetëm me pasojat, pa ndihmë konkrete dhe pa zgjidhje afatgjata.

Përveç humbjeve ekonomike, përmbytjet përbëjnë edhe një rrezik serioz për shëndetin publik, pasi ujërat e ndotura dhe kafshët e ngordhura mund të kthehen në burim infeksionesh. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e zonës dhe masa parandaluese, në mënyrë që të mos përballen çdo vit me të njëjtin skenar.

Pamjet flasin vetë dhe janë dëshmi e një realiteti të dhimbshëm, në Durrës, pas çdo shiu, qytetarët mbeten të pambrojtur, ndërsa pasojat bien drejtpërdrejt mbi jetën e tyre të përditshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit