Fermerët grekë paralajmërojnë bllokadë kombëtare, rrezikohet mbyllja e Kakavijës për 48 orë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.01.2026, 21:26

Protestat e fermerëve në Greqi po hyjnë në një fazë të re përshkallëzimi, teksa përfaqësuesit e sektorit bujqësor paralajmërojnë se janë gati të bllokojnë një pjesë të madhe të vendit, nëse qeveria nuk pranon një dialog të drejtpërdrejtë në nivelin më të lartë.

Edhe pse qeveria greke njoftoi sot gjashtë masa mbështetëse për sektorin primar, duke pretenduar se ka përmbushur madje më shumë se kërkesat e fermerëve, këta të fundit i kanë cilësuar propozimet si të përsëritura dhe të pamjaftueshme për të garantuar mbijetesën ekonomike të tyre.

Në mbarë vendin, blloqet bujqësore po koordinojnë veprimet e radhës, ndërsa kërkesa kryesore mbetet zhvillimi i një takimi të drejtpërdrejtë me Kryeministrin. Tetëmbëdhjetë blloqe dhe shoqata bujqësore i kanë dërguar një letër Ministrit të Bujqësisë, duke paralajmëruar se në mungesë të dialogut, nga ora 12:00 e së enjtes do të nisë një valë e re bllokimesh në akset kryesore rrugore.

Një nga pikat më kritike pritet të jetë dogana e Kakavijës. Sipas planit të protestuesve, traktorët nga zona e Kalpakit do të nisen drejt pikës kufitare, me synim mbylljen e saj për 48 orë, deri të shtunën në mesditë. Gjithçka do të varet nga qëndrimi i policisë, nëse do të lejojë marshimin apo do të ndërhyjë për zbatimin e ligjit, çka mund të sjellë përplasje dhe tensione.

Paralelisht, fermerët kanë paralajmëruar bllokime 48-orëshe edhe në pika të tjera strategjike, përfshirë zonën e Malgarës pranë Selanikut, doganën e Promachonës në kufi me Bullgarinë, bllokun e Nikaias në Thesali, më i madhi në vend, si dhe në Lakoni, Vioti, Aitoloakarnani dhe Patra. Në disa raste, protestuesit kanë paralajmëruar bllokime që mund të zgjasin deri në 96 orë.

Situata është tensionuar më tej pas ndërhyrjes së Prokurorisë së Gjykatës së Lartë, e cila ka kërkuar zbatimin e menjëhershëm të ligjit, duke paralajmëruar arrestime dhe procedura për bllokimin e qarkullimit dhe rrezikimin e sigurisë rrugore. Nga ana tjetër, qeveria ka deklaruar se nuk do të lejojë “ndarjen e vendit në dysh”, duke theksuar se dialogu mund të zhvillohet vetëm pa traktorë në rrugë.

Sipas informacioneve të deritanishme, Kakavija ose zona e Kalpakit pritet të mbetet e bllokuar për 48 orë, ndërsa për pikat kufitare të Kapshticës, Tri Urat dhe Qafë Botës nuk ka ende njoftime zyrtare për bllokime. Situata mbetet dinamike dhe priten zhvillime të reja në orët në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit