Një situatë shqetësuese po vijon prej ditësh në njësinë administrative Ujmisht, Kukës, ku ura që lidh dy fshatra është marrë sërish nga ujërat e rrëmbyeshëm të lumit, pas reshjeve të ditëve të fundit.
Ura në fjalë nuk është ndërtuar nga institucionet shtetërore, por nga vetë banorët, të cilët, të braktisur prej vitesh nga autoritetet, janë detyruar të ndërhyjnë me forcat dhe mjetet e tyre për të siguruar një lidhje minimale mes zonave. Megjithatë, kjo urë e improvizuar është shkatërruar përsëri nga rrjedha e fortë e lumit.
Si pasojë, lidhja mes dy fshatrave është bllokuar plotësisht, ndërsa më e rënda është se procesi mësimor për nxënësit që ndjekin shkollën e fshatit është ndërprerë, tashmë prej 3 ditësh, pasi fëmijët nuk kanë asnjë mundësi kalimi.
Sipas banorëve, për këtë urë janë bërë thirrje të vazhdueshme prej më shumë se 30 vitesh që të ndërhyhet nga institucionet përkatëse dhe të ndërtohet një urë e sigurt dhe funksionale. Megjithatë, pavarësisht ankesave dhe kërkesave të përsëritura, nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Kjo situatë ngre edhe një herë pikëpyetje të forta mbi neglizhencën institucionale, braktisjen e zonave rurale dhe mungesën e investimeve minimale në infrastrukturë jetike, ku në fund pasojat i kanë fëmijët dhe qytetarët.
Banorët i bëjnë thirrje urgjente Bashkisë Kukës, Prefekturës dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë për ndërtimin e një ure të sigurt dhe funksionale, duke i dhënë fund izolimit të zonës dhe ndërprerjes së arsimit për fëmijët, një problem që zvarritet prej më shumë se 30 vitesh.