Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë, një nga investimet më të shtrenjta infrastrukturore të viteve të fundit me vlerë rreth 260 milionë euro, ka dalë jashtë funksionit, pasi është mbyllur për shkak të shembjeve masive të gurëve dhe dherave mbi karrexhatë.
Sipas denoncimeve të qytetarëve, në këtë segment janë konstatuar sasi të mëdha inertesh dhe dherash, të cilat kanë krijuar rrezik serioz për qarkullimin e automjeteve, duke detyruar autoritetet të ndërpresin përkohësisht trafikun. Mbyllja e aksit vjen vetëm pak kohë pas inaugurimeve dhe propagandës për “rrugë moderne dhe të sigurta”.
Policia e Qarkullimit Rrugor në Korçë dhe Elbasan ka vendosur patrulla në hyrje të Qafë Plloçës dhe Qukësit, duke orientuar mjetet drejt rrugës së vjetër, për të shmangur aksidente të tjera, pas një rasti të ndodhur paraditen e sotme.
Sipas njoftimit, aksi do të qëndrojë i mbyllur deri në momentin që firma kontraktore të pastrojë plotësisht dherat dhe inertet dhe derisa të vlerësohet se nuk ekziston më rrezik për përdoruesit e rrugës.
Rasti ka ngritur sërish pikëpyetje të forta mbi cilësinë e punimeve, sigurinë teknike dhe përgjegjësinë institucionale për një projekt që ka kushtuar qindra miliona euro nga paratë publike dhe që sot, në kushtet e para problematike, rezulton i pakalueshëm.
Ndërkohë, qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve përballen me devijime, vonesa dhe rrezik, ndërsa mbetet e paqartë se kush do të mbajë përgjegjësi për një aks rrugor që, në vend të lehtësojë lëvizjen, është kthyer në burim pasigurie dhe bllokimi.