“Rinia nuk po blen dot shtëpi”, Trump paralajmëron reformë për të ulur çmimet

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07.01.2026, 20:16

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të ndërmarrë një reformë të re për uljen e çmimeve të banesave në SHBA, duke theksuar se brezi i ri e ka gjithnjë e më të pamundur të blejë një shtëpi dhe se “Ëndrra Amerikane është vënë në rrezik”.

Trump akuzoi drejtpërdrejt Administratën Biden dhe demokratët në Kongres për inflacionin e lartë dhe rritjen e fortë të çmimeve të shtëpive, të cilat, sipas tij, kanë përjashtuar nga tregu familjet e reja dhe shtresën e mesme.

Në fokus të reformës së paralajmëruar është ndalimi i investitorëve të mëdhenj institucionalë që blejnë masivisht shtëpi të përshtatshme për familje, duke i kthyer ato në instrumente fitimi dhe duke rritur çmimet artificialisht.

“Për një kohë të gjatë, zotërimi i një shtëpie ishte kulmi i Ëndrrës Amerikane. Sot, për shumë të rinj, ajo është bërë e paarritshme,” deklaroi Trump, duke shtuar se shtëpitë janë për njerëzit, jo për korporatat.

Ai njoftoi se do t’i kërkojë Kongresit të miratojë ligje që ta kthejnë strehimin në një mundësi reale për qytetarët amerikanë dhe paralajmëroi se propozime të tjera për përballueshmërinë e banesave do t’i bëjë publike gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, pas dy javësh.

Deklaratat e Trump pritet të ndezin debat të fortë politik në SHBA, në një kohë kur kriza e strehimit po kthehet në një nga shqetësimet kryesore të votuesve amerikanë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit