Një shqiptar dhe e dashura e tij britanike janë vënë në qendër të një dosjeje të rëndë kriminale në Mbretërinë e Bashkuar, pasi akuzohen se ishin pjesë e një grupi që realizoi të paktën 44 vjedhje, duke marrë bizhuteri, çanta luksoze, ora dhe para me vlerë rreth 1 milion sterlina.
Sipas autoriteteve britanike, grupi përbëhej nga pesë shtetas shqiptarë dhe një grua britanike, të cilët vepronin në mënyrë të organizuar, duke synuar posaçërisht viktima të pasura në zona të ndryshme të vendit. Dy prej tyre, Endrit Nikolli (27 vjeç) dhe e dashura e tij Jade Tubb (33 vjeçe), e quanin veten “Bonnie dhe Clyde” në letra dashurie, ku flisnin hapur për krimet që kryenin.
Grupi përdorte shkallë për të hyrë nga dritaret dhe ballkonet e katit të parë të banesave, të cilat më pas i shkatërronin për të gjetur sende me vlerë të lartë. Policia tha se anëtarët e bandës vendosnin edhe “objektiva javore” për sasinë e arit që synonin të vidhnin dhe fotografonin plaçkat e grabitura.

Endrit Nikolli, Kristian Gropcaj (30), George Lleshaj (31), Krisjian Dedndreaj (28) dhe Sidorjan Lleshi (26) u deklaruan fajtorë në Gjykatën Mbretërore të Chester-it për komplot për kryerjen e vjedhjes dhe për posedim të pasurisë së përfituar nga krimi. Jade Tubb u deklarua fajtore për komplot për posedim të pasurisë kriminale, pasi rezulton se rezervonte makinat me qira që përdoreshin në grabitje dhe shpenzonte të ardhurat e përfituara.
Hetimet nisën në tetor 2024, pas një serie vjedhjesh në Macclesfield, Prestbury, Weston dhe Willaston. Oficerët arritën të lidhin rastet përmes gjurmëve të këpucëve dhe ADN-së, ndërsa analizat e telefonave zbuluan qindra foto të sendeve të vjedhura dhe mesazhe që tregonin vendndodhjet e grabitjeve.
Policia arriti të rikuperojë vetëm 13 çanta dizajnerësh dhe 14 ora, ndërsa pjesa dërrmuese e sendeve ishte shitur tashmë.
Të gjithë anëtarët e grupit ndodhen aktualisht në paraburgim ose nën masa sigurie dhe do të dënohen më 20 shkurt në Gjykatën Mbretërore të Chester-it. Detektivët e cilësuan aktivitetin e tyre si të planifikuar me kujdes dhe të shtrirë në disa qarqe, me qëllim shmangien e zbulimit nga policia.