Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar problematika në disa qytete të vendit, duke shkaktuar përmbytje të pjesshme në zona të ndryshme të Durrësit, Fierit dhe Shkodrës.
Vëmendja tashmë është përqendruar në Tiranë, ku niveli i lumit Lana ka shënuar rritje të ndjeshme dhe ndodhet shumë pranë kufirit maksimal të sigurisë. Sipas të dhënave nga terreni, situata më shqetësuese paraqitet në zonën e Pallatit me Shigjeta, ku uji ka arritur deri në nivelin e gjelbërimit përreth.
Nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet edhe në orët në vijim, ekziston rreziku që Lana të dalë nga shtrati dhe uji të përhapet në rrugët përreth. Kjo zonë konsiderohet ndër më problematiket, pasi edhe në të kaluarën ka qenë e prekur nga përmbytje gjatë episodeve me shi të dendur.
Ndërkohë, pas situatës në Durrës, ku disa akse rrugore u mbuluan nga uji pasditen e djeshme, si edhe pas sinjaleve alarmuese nga jugu i vendit për rritjen e nivelit të lumenjve, përfshirë Vjosën, autoritetet dhe qytetarët po ndjekin me kujdes zhvillimet edhe në kryeqytet.
Situata mbetet në monitorim dhe gjithçka do të varet nga intensiteti i reshjeve gjatë natës dhe ditëve në vijim.