Prokuroria e Përgjithshme e Bambergut në Gjermani ka ngritur zyrtarisht aktakuzë ndaj një 50-vjeçari, të identifikuar si Mikheil B., i dyshuar si drejtuesi i rrjetit ndërkombëtar të mashtrimit online “Milton Group”, një skemë gjigante investimesh të rreme që ka shkaktuar një dëm financiar prej rreth 230 milionë eurosh.
Lajmi raportohet nga media gjermane Frankenpost, sipas së cilës rrjeti ka operuar për vite me radhë përmes mashtrimeve me investime digjitale, duke përdorur call center-a në disa shtete, përfshirë edhe Shqipërinë. Vetëm në hapësirën gjermanofolëse, mbi 1 000 persona dyshohet se kanë rënë viktimë e skemës.
Autoritetet gjermane rikujtojnë se më 8–9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, SPAK bastisi 6 call center-a në Shqipëri të lidhur me “Milton Group”, duke arrestuar 4 persona. Hetimet zbuluan se këto qendra ishin në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, ish-këshilltar politik i Olta Xhaçkës gjatë kohës që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas Prokurorisë së Bambergut, Mikheil B., shtetas izraelit dhe gjeorgjian, u arrestua në gusht 2023 në Armeni dhe në maj 2024 u ekstradua në Gjermani, ku ndodhet aktualisht në paraburgim. Procesi gjyqësor do të zhvillohet në Gjykatën Rajonale të Bambergut, ndërsa seanca e parë publike është planifikuar për 15 janar, me gjithsej 12 seanca të parashikuara.
Nga viti 2014 deri në nëntor 2022, i akuzuari dyshohet se ka qenë pjesë kyçe e një grupi kriminal që operonte call center-a në Shqipëri, Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë. Viktimave u ofroheshin platforma të rreme për tregtim financiar online, ku paratë e investuara humbisnin pothuajse plotësisht.
Vetëm një call center në Tiranë, i drejtuar prej tij, me rreth 600 punonjës, dyshohet se ka dëmtuar qindra qytetarë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra. Autoritetet theksojnë se dëmi real është shumë më i madh se ai i dokumentuar deri më tani, ndërsa Mikheil B. dyshohet se ka përfituar personalisht rreth 29 milionë euro.
Zyra Qendrore për Krimin Kibernetik të Bavarisë e cilëson “Milton Group” si një nga rrjetet më të mëdha ndërkombëtare të mashtrimit online, ndërsa hetimet vijojnë edhe ndaj anëtarëve të tjerë të grupit, në bashkëpunim me autoritetet e ndjekjes penale në Shqipëri, Gjeorgji dhe vende të tjera evropiane.