Një banor i fshatit Lezhan, pjesë e Bashkisë Selenicë, i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një problem serioz që ka paralizuar jetën e përditshme të komunitetit.
Rruga dhe ura që lidhte fshatin Lezhan me fshatrat përreth dhe me qytetin e Vlorës ndodhen në gjendje të mjerueshme. Pas reshjeve të dendura të shiut, situata është përkeqësuar ndjeshëm, duke izoluar plotësisht banorët. Lëvizja drejt qytetit për furnizim me ushqime, për të shkuar në punë, shkollë, spital apo institucione shtetërore është bërë e pamundur.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë situatë është fakti se riparimi i rrugës dhe urës kërkon një fond relativisht të vogël, rreth 5 milionë lekë. Megjithatë, kryebashkiaku i Selenicës, Nertil Billaj, duket se ka zgjedhur të mbyllë sytë përballë këtij problemi jetik, duke lënë dhjetëra familje të izoluara dhe pa zgjidhje.
Në shenjë revolte dhe dëshpërimi, banori ironizon situatën duke u bërë thirrje njerëzve të mos fejohen, të mos martohen dhe as të mos vdesin, pasi fshati ka mbetur pa rrugëdalje dhe askush nuk mund të hyjë apo të dalë.
Banorët e Lezhanit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe përgjegjësi institucionale nga kryebashkiaku Nertil Billaj, i cili ka detyrimin ligjor dhe moral të garantojë infrastrukturë minimale dhe kushte dinjitoze jetese për qytetarët e bashkisë që drejton. Heshtja dhe mosveprimi nuk janë më të pranueshme.