Banorët akuza për favorizimin e “Mrizi i Zanave” pas vizitës së Ogerta Manastirliut

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07.01.2026, 18:43

Një qytetare e quajtur Enkelejda Mema ka denoncuar publikisht vendosjen e një tabele “Ndalim Parkimi” në një rrugicë pranë biznesit të sapohapur “Mrizi i Zanave” në Bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë, duke e lidhur këtë vendim me vizitën e fundit të Ogerta Manastirliut në ambientet e këtij biznesi.

Sipas denoncimit, rrugica në fjalë ka shërbyer prej vitesh si hapësirë parkimi për banorët rezidentë të zonës dhe nuk ka pasur kurrë më parë sinjalistikë ndaluese. Qytetarja thekson se asnjë nga bizneset e mëparshme që kanë funksionuar aty nuk kanë ndërhyrë për heqjen e parkimit apo për vendosjen e tabelave ndaluese.

Denoncuesja pretendon se vendosja e tabelës është bërë për t’i hapur rrugë klientëve të biznesit, duke kufizuar të drejtën e parkimit për banorët dhe duke i detyruar ata të largojnë automjetet, pavarësisht kartave të rezidentit. Ajo e konsideron këtë veprim si një favorizim të drejtpërdrejtë të biznesit privat, në dëm të komunitetit që jeton në zonë.

Sipas saj, rruga nuk është pedonale, por rrugë qarkullimi dhe parkimi për automjetet, ndërsa prania e radhëve të klientëve ka krijuar probleme dhe është përdorur si justifikim për ndalimin e parkimit.

Në reagimin e saj, qytetarja i bën thirrje pronarit të biznesit që të ndërhyjë për heqjen e tabelës, duke paralajmëruar edhe përshkallëzim të konfliktit nëse situata nuk ndryshon.

Më poshtë, mesazhi i plotë i qytetares:

"Altin Prengës t'i ecë biznesi, se qytetarëve u tregojmë forcën e tabelës. Nga Enkelejda Mema

Dje Ogerta Manastirliu vizitoi biznesin e Altin Prengës, Mrizi i Zanave, hapur para pak javësh në Tiranë, konkretisht në Bulevardin "Zogu i Parë".

Sot në rrugicën ku është vendosur biznesi i Altin Prengës vendoset një tabelë që na thotë ne banorëve, nga sot nuk keni për të parkur më këtu. Pra çojini makinat ku të doni, se kështu do i zoti i biznesit dhe para atij ne banorët e zonës jemi një hiç për kandidaten socialiste për bashkinë e Tiranës.

Në rrugicën në foto nuk ka ekzistuar asnjëherë një tabelë ndalim parkimi. Jetë e mot kemi parkuar aty. Asnjë prej bizneseve të mëparshme që kanë funksionuar si "Destili" apo "Firence" nuk kanë pretenduar e as kanë ndërhyrë në bashki për tu rrëmbyer banorëve atë që u takon me ligj e me rregulla vendore, hapësirën për parkim. Asnjëherë.

Sot, aty ku dikur parkonim makinat, kartën e rezidentit na i grisi kandidatja e PS-ës për bashkinë Tiranë, Ogerta Manastirliu.

Sot kjo rrugicë u hap për klientët e Altin Prengës që rrijnë në rradhë për të ngrënë bukë me djath të zier. Makinat në parkim ishin pengesë për biznesin e tij. Njerëzit në rradhë filluan të bllokonin rrugën e makinave dhe kjo i rrezikonte fitimet Altin Prengës, se njerëzit mes bukës me djath të zier zgjedhin të mbrojnë kokën e tyre nga ndonjë rrotë makine që është në rrugë të vetë.

Altin Prenga rruga që të çon në biznesin tënd nuk është pedonale, është rrugë makinash dhe parkimi. Nëse ti nuk i thua Ogerta Manastirliut që të heqi tabelën dhe të na lirosh atë që na përket ne banorëve, unë do të marrë përsipër personalisht të të kthehem në një pengesë. Larja e ballkoneve jo më me leckë por me kova uji do të jetë përditshmëria me të cilën do të përballesh ti dhe klientët e tu, që në këtë rast nuk kanë asnjë faj, por do të vuajnë pasojat.

Dy duar për një kokë! Puç"

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit