SHBA sekuestron një cisternë nafte me flamur rus të lidhur me Venezuelën

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.01.2026, 17:44

Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar në Oqeanin Atlantik një cisternë nafte me flamur rus, e lidhur me eksportet e sanksionuara të Venezuelës, pas një ndjekjeje që zgjati për disa javë në det të hapur.

Anija, e njohur fillimisht si Bella 1 dhe më pas e riemërtuar Marinera, u kap të mërkurën në Atlantikun Verior. Autoritetet amerikane njoftuan gjithashtu edhe sekuestrimin e një tjetër cisternë të sanksionuar, M/T Sophia, e cila sipas tyre po kryente aktivitete të paligjshme në Detin e Karaibeve.

Sipas SHBA-së, Marinera kishte tentuar t’u shmangej autoriteteve duke ndryshuar emrin, flamurin dhe duke rilyer trupin e anijes, ndërsa ishte nën ndjekje nga Roja Bregdetare amerikane. Operacioni u krye pas një urdhri të një gjykate federale amerikane.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes deklaroi se bllokada ndaj naftës venezueliane të sanksionuar mbetet plotësisht në fuqi, kudo në botë.

Nga ana tjetër, Rusia reagoi ashpër, duke akuzuar SHBA-në për shkelje të ligjit detar ndërkombëtar. Ministria e Transportit e Rusisë bëri me dije se anija kishte marrë autorizim të përkohshëm për të lundruar me flamur rus dhe se kontaktet me të ishin ndërprerë pas ndërhyrjes amerikane. Një senator rus e quajti veprimin e SHBA-së “pirateri në det të hapur”.

Autoritetet britanike konfirmuan se Mbretëria e Bashkuar ka ofruar mbështetje operacionale dhe vëzhgim ajror për kapjen e cisternës, duke theksuar se anija dyshohej për përfshirje në aktivitete të paligjshme ndërkombëtare.

Sipas të dhënave, të paktën tre cisterna të tjera të sanksionuara, që operonin pranë Venezuelës, kanë ndryshuar së fundmi flamurin në atë rus, në përpjekje për të shmangur bllokadën amerikane.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit