Të moshuarit ngrohen me sobë me dru dhe gatuajnë me gaz, fatura dritave vjen 200 mijë lekë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.01.2026, 16:49

Një qytetare ka ngritur alarmin për një skandal të rëndë që po ndodh në banesën e prindërve të saj të moshuar, banues në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Faturat e energjisë elektrike që u vijnë çdo muaj arrijnë shifra absurde, deri në 200 mijë lekë të vjetra, pa asnjë lidhje me konsumin real.

Bëhet fjalë për një familje që gatuan me gaz dhe ngrohet me sobë druri. Pajisjet elektrike janë minimale: ndriçimi, frigoriferi dhe ndonjë pajisje bazike shtëpiake. Në këto kushte, çdo faturë e fryrë përbën jo thjesht një gabim teknik, por një abuzim të hapur.

OSHEE, institucioni që ka për detyrë të garantojë matje të saktë dhe faturim të drejtë, duket se ka zgjedhur rrugën më të lehtë: t’i hedhë barrën qytetarëve, veçanërisht atyre më të pambrojtur. Të moshuarit, që mezi përballojnë shpenzimet bazë, detyrohen të paguajnë fatura që nuk pasqyrojnë asgjë nga realiteti i konsumit të tyre.

Në vend që të hetojë seriozisht rastet e denoncuara, OSHEE shpesh mjaftohet me përgjigje standarde, burokratike, ose edhe më keq, me indiferencë totale. Gabimet në matje, matës të vjetëruar, lexime të supozuara dhe fatura të bazuara në hamendësime janë kthyer në praktikë të zakonshme, por kurrë të pranuara zyrtarisht.

Ky nuk është një rast i izoluar. Qindra qytetarë denoncojnë çdo muaj fatura të pajustifikueshme, por asnjëherë nuk shohim përgjegjësi, ndëshkim apo transparencë. OSHEE sillet si monopol i paprekshëm, që faturon sipas qejfit dhe nuk jep llogari askujt.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit