Sot, më 7 janar 2026, rikthehemi pas në kohë, pikërisht pesë vite më parë, kur më 7 janar 2021 denoncuam një nga rastet më flagrante të abuzimit me fondet publike në Autoritetin Rrugor Shqiptar. Asokohe drejtori i ARRSH, Ergys Verdho, i akordoi një tender për ndërtimin e rrugës Palasë–Dhërmi, me vlerë rreth 15 milionë euro me TVSH, kompanisë “GJIKURIA”, në pronësi të Milo dhe Florenc Gjikuria, ndonëse në garë kishte oferta dukshëm më të ulëta. Njëra prej tyre ishte plot 6 milionë euro më pak, por në Shqipërinë e tenderëve “strategjikë”, kursimi i parave publike duket se mbetet gjithmonë opsional.
Tenderi me numër reference REF-76328-10-21-2020 u zhvillua mes 7 kompanive apo bashkimeve operatorësh, por fituesi doli pothuajse identik me fondin limit: 1,562,805,184 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 96.5% e fondit të parashikuar. Një “përputhje” kaq perfekte sa të lë të kuptosh se gara ka qenë më shumë formale sesa reale. Kur fituesi afrohet në mënyrë milimetrike me tavanin maksimal, ndërsa ofertat më të lira hidhen në kosh, dyshimet për një fitues të paracaktuar nuk janë thjesht hamendësime, por një model i njohur i administrimit të parasë publike.
Pesë vite më pas, rruga Palasë–Dhërmi mbetet simbol i një sistemi ku tenderët duken më shumë si shpërblime politike sesa si kontrata publike. Dëmi prej të paktën 6 milionë eurosh për buxhetin e shtetit u shoqërua me heshtje institucionale dhe mungesë përgjegjësie, ndërsa personazhet kryesore vijuan karrierat e tyre pa u shqetësuar. Një histori që sot rikujtohet jo si përjashtim, por si shembull se si “Gysi” dhe të ngjashmit e tij e kanë kthyer abuzimin me tenderët në një sport rutinë, ku humbësi i vetëm është gjithmonë qytetari.


