I shkaktoi miliona dëm shtetit, por GJKKO liron nga qelia CEO-n e Bankers Petroleum

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.01.2026, 16:20

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka liruar nga qelia shtetasin kinez Hongping Xiao, CEO i kompanisë Bankers Petroleum, duke i zëvendësuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Xiao akuzohet për një listë të gjatë veprash penale të rënda, përfshirë krijimin e skemave mashtruese me TVSH-në, fshehje të ardhurash, pastrim parash, shpërdorim detyre, korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje veprash penale nga organizata kriminale. Vendimi i GJKKO-së e lë atë në të njëjtin regjim sigurie me të pandehurit e tjerë të çështjes, të cilët prej muajsh ndodhen në masa më të buta, kryesisht arrest shtëpie.

Sipas Prokurorisë së Fierit, Bankers Petroleum, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, ka shmangur për rreth 20 vite detyrimet tatimore, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit miliona euro dëm. Hetimet tregojnë se gjatë periudhës 2004–2024, kompania ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total të raportuar prej 11.7 miliardë lekësh. Skema dyshohet se është përdorur për përfitim fiktiv të TVSH-së dhe për të shmangur pagesën e tatimeve, pavarësisht volumit të lartë të aktivitetit ekonomik.

Aksioni i Prokurorisë së Fierit në korrik në ambientet e “Bankers Petroleum Albania” çoi në ekzekutimin e 10 masave sigurie, ndërsa katër shtetas të huaj vijojnë të jenë ende në kërkim. Në nëntor, GJKKO kishte zëvendësuar masën “arrest me burg” me “arrest shtëpie” edhe për ish-drejtorin e kompanisë, Leonidha Çobo, i arrestuar në të njëjtin aksion. Vendimet e përsëritura për lehtësimin e masave të sigurisë në një çështje me dyshime për abuzime masive financiare dhe korrupsion të zyrtarëve shtetërorë ngrenë pikëpyetje serioze mbi standardin e trajtimit të kësaj dosjeje dhe sinjalin që u jepet aferave të mëdha që kanë dëmtuar për vite me radhë financat publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit