FSHF i rinovon kontratën, Sylvinho edhe 7 muaj trajner i kombëtares shqiptare

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.01.2026, 15:57

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior (Sylvinho), si edhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior. Ky vendim konfirmon vazhdimësinë e projektit teknik që ka prodhuar rezultate historike për futbollin shqiptar.

Kontrata e re e stafit teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me objektivin madhor: kualifikimin për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar në fazën finale të Kupës së Botës.

Nën drejtimin e tij, Kombëtarja shqiptare ka shënuar një progres të dukshëm në organizim, identitet loje dhe rezultate, duke arritur për herë të parë kualifikimin në fazën play-off të Botërorit 2026.

Muaji mars pritet të shënojë një kapitull historik për kuqezinjtë, të cilët më 26 mars do të përballen me Poloninë në gjysmëfinalen e play-off-it. Në rast kualifikimi, Shqipëria do të luajë finalen vendimtare ndaj fituesit të çiftit Ukrainë – Suedi.

Rinovimi i kontratës pasqyron besimin e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit në stafin aktual, filozofinë e punës së ndërtuar ndër vite, si edhe angazhimin për stabilitet, vazhdimësi dhe ambicie të larta. Ky hap synon forcimin e mëtejshëm të Kombëtares, rritjen e konkurrencës dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit