Një situatë shqetësuese është krijuar në fshatin Dardhas të Pogradecit, ku rrëshqitjet e dherave kanë shkaktuar dëmtime në varrezat e fshatit. Lëvizja e tokës ka sjellë çarje dhe zhvendosje të dheut, duke vënë në rrezik disa varre.
Banorët shprehen të shqetësuar për gjendjen e varrezave, të cilat përbëjnë një hapësirë me rëndësi të veçantë morale dhe shpirtërore. Sipas tyre, situata kërkon ndërhyrje të shpejtë për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të dëmeve, veçanërisht nëse reshjet vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Autoritetet lokale janë informuar për problematikën dhe pritet një vlerësim në terren për të përcaktuar masat e nevojshme. Ndërkohë, banorët e Dardhasit apelojnë për zgjidhje sa më të shpejta, në mënyrë që të mbrohen varret.