Në fund të vitit 2021, me qëllimin "heroik" për të shpëtuar qytetin njëherë e mirë nga përmbytjet shekullore, Emiriana Sako e Bashkisë së Durrësit hapi një procedurë prokurimi me vlerë marramendëse mbi 20 MLN €. Objekti i kontratës ishte rehabilitimi i kanaleve kulluese dhe ndërtimi i një hidrovori të ri për qytetin.

Kryebashkiakja Emiriana Sako e arsyetoi këtë projekt me dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti, duke deklaruar se hidrovori ekzistues nuk ishte më funksional.
Edhe pse nga tërmeti kishin kaluar më shumë se dy vjet, Bashkia vendosi ta zhvillonte procedurën me tender të kufizuar, duke e fshehur gjithçka pas alibisë së rindërtimit. Vetëm dy javë më pas u bë e qartë pse kjo kontratë prej mbi 20 MLN € u trajtua si urgjencë.
Fitues u shpall bashkimi i tre kompanive: 2T, Vëllezërit Hysa dhe Adriatik shpk, të cilat e morën kontratën me pothuajse të gjithë fondin limit, plot 99.9% të vlerës totale, duke i zhvatur qytetarëve rreth 20 mijë euro nga një projekt që kushtonte sa një spital i ri.
Kush e mori vërtet llokmën?
Pas kësaj fitoreje pa konkurrencë fshihej një rrjet biznesesh të lidhura me figura kyçe të pushtetit.
2T konsiderohet si kompania e lidhur e vëllai të kryebashkiakut të Tepelenës Gramoz Sako, një nga katër firmat e mëdha të punëve publike që u shndërruan në “përbindësha buxhetorë” pas ardhjes së Belinda Ballukut në krye të Ministrisë së Infrastrukturës. Në atë periudhë, Sako mbante postin e komandantit të Gardës dhe më pas u promovua në pozita të larta drejtuese në administratë.
Adriatik shpk është në pronësi të Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Ujësjellësit të Durrësit, familjar i Ceno Klosit, në atë kohë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve dhe një nga njerëzit më të afërt të ministres Balluku.
"Vëllezërit Hysa", Besnik, Kujtim, Agron dhe Flutura, oligarkët gllabërues, ndërtues të disa veprave infrastrukturore publike me zhvatje nga paratë publike.
Në këtë mënyrë, tenderi prej 20 MLN € u nda mes njerëzve të një rrethi të mbyllur, një skemë që i ngjan rastit korruptiv 5D në Tiranë, por që në Durrës u pagëzua me emrin "5B".
Projektim dhe mbikëqyrje nga kompani “fantazmë”
Për projektimin e veprës u përzgjodh kompania Invictus, ndërsa mbikëqyrja iu besua firmës Hydro-Eng Consulting. Kjo e fundit është në pronësi të Evis Qyrkut dhe ishte themeluar vetëm 6 muaj para shpalljes së tenderit. Pra, një kompani pa asnjë histori dhe eksperiencë reale u caktua të kontrollonte cilësinë e një vepre jetike për një qytet të tërë.
Në Durrës, rezultati doli në pah shumë shpejt... hidrovori i ri, ndonëse kushtoi 20 MLN €, nuk funksionon. Qyteti përmbytet sa herë bie shi, ndërsa pamjet apokaliptike të ditëve të fundit u bënë dëshmi e gjallë e një investimi që ekziston vetëm në letra.