Një qytetare shqiptare që jeton dhe punon në Itali i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një rast të dyshuar mashtrimi nga një bashkëatdhetar i saj, me origjinë nga qyteti i Lezhës.
Sipas deklarimit të saj, zonja është njohur me shtetasin Edi, përmes një grupi në platformën Facebook, i cili kishte si qëllim informimin dhe ndërmjetësimin për konvertimin e patentave shqiptare në Itali. Pas komunikimeve të para, shtetasi në fjalë i ka premtuar se do t’i realizonte konvertimin e patentës brenda një afati prej 40 ditësh, ndonëse procedura normale zgjat rreth tre muaj.
Bazuar në këtë premtim, qytetarja ka kryer pagesën e kërkuar, 1100€. Megjithatë, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga momenti i pagesës, shërbimi i premtuar nuk është realizuar dhe patenta nuk i është dorëzuar.
E gjendur përballë kësaj situate, zonja është detyruar ta ndjekë vetë procedurën ligjore në zonën ku banon në Itali, duke marrë patentën në mënyrë të rregullt dhe pa ndërmjetësim.
Sipas saj, pas mosrealizimit të shërbimit, bashkëshorti dhe familjarë të saj kanë tentuar disa herë të kontaktojnë Ed mashtruesin për t’i kërkuar kthimin e shumës së paguar. Ky i fundit, sipas deklarimeve, ka kërkuar IBAN-in për të kryer kthimin e parave, por deri më sot kjo gjë nuk ka ndodhur dhe ai ka ndërprerë komunikimin.
Qytetarja i bën thirrje publike personit në fjalë që të kthejë shumën e marrë, përpara se çështja të ndjekë rrugë ligjore.
JOQ Albania sqaron se përpara publikimit të këtij denoncimi, redaksia ka tentuar të kontaktojë palën e përmendur për një reagim zyrtar. Gazetarët tanë janë përpjekur të kontaktojnë me Edin por, kontakti nuk ka qenë bashkëpunues dhe reagimi ka qenë refuzues, duke shmangur dhënien e një përgjigjeje të qartë dhe duke përdorur gjuhë kërcënuese.