Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetin X për përmbytjet në Durrës, duke publikuar pamje nga zona e Shkozetit ku kanalet kulluese janë bllokuar nga mbeturinat. Si zakonisht, Rama ka zgjedhur të fajësojë qytetarët për situatën, duke shmangur çdo përgjegjësi direkte të qeverisë dhe pushtetit vendor që ai vetë kontrollon prej vitesh.
Sipas Ramës, “shiu me gjyma” ka mbledhur plehrat nga fusha dhe anët e rrugëve dhe i ka grumbulluar në kanale, duke shkaktuar përmbytje. Por ajo që kryeministri nuk përmend është fakti se pastrimi i kanaleve, menaxhimi i mbetjeve dhe parandalimi i përmbytjeve janë detyra ligjore të bashkisë së Durrësit, e drejtuar nga Emirjana Sako, një nga figurat më të besuara të tij politike.
Prej vitesh, qeveria Rama ka promovuar inceneratorët si “zgjidhje moderne” për mbetjet urbane, ndërkohë që sot këto projekte rezultojnë ose inekzistente, ose funksionale vetëm në letra. Miliona euro nga taksat e qytetarëve janë derdhur për inceneratorë që nuk djegin plehra, por shërbejnë si skema për thithjen dhe pastrimin e parave publike në favor të një rrethi të ngushtë interesash.
Ndërsa fondet akordohen rregullisht, situata në terren mbetet e pandryshuar, kanale të papastruara, qytete që përmbyten pas çdo shiu dhe institucione që reagojnë vetëm pasi dëmi është bërë. Përgjegjësia politike zhvendoset te qytetarët, ndërkohë që qeveria dhe bashkitë vazhdojnë të dështojnë në funksionet më bazike të administrimit publik.
