Sot, banorët e fshatit Gjorëm dhe zonave përreth kanë dalë në protestë për të ngritur zërin kundër përmbytjeve të përsëritura që po dëmtojnë jetën dhe pronat e tyre. Protesta u zhvillua si reagim ndaj situatës së rënduar të shkaktuar nga reshjet e dendura, por edhe nga mungesa e ndërhyrjeve dhe përgjegjësisë institucionale për parandalimin e këtyre fatkeqësive.
Banorët e Kurbinit, përfshirë qytetin e Laçit, Mamurrasin, fshatrat Gjorëm, Shullaz, Gurëz, Zhejë, Malbardhë, si dhe lagjen e Sanxhakut, kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për problemin e përmbytjeve kronike. Ata shprehen se dëmet materiale janë të konsiderueshme dhe se situata përsëritet çdo vit, duke i lënë familjet të pambrojtura dhe pa mbështetje reale.
Banorët kërkojnë që Bashkia Kurbin me kryetare Majlinda Carën, Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet përkatëse të dalin në terren për verifikime të sakta, të hartojnë bilancet reale të dëmeve dhe të dëmshpërblejnë qytetarët e prekur. Sipas protestuesve, vetëm përmes ndërhyrjeve serioze mund të shmangen përmbytje të tjera.