Lundra e Butrintit është prishur sërish, duke lënë të bllokuar dhjetëra qytetarë që e përdorin çdo ditë për të kaluar në anën tjetër të qytetit, ku zhvillojnë aktivitetet e tyre të përditshme. Ky problem i përsëritur ka shkaktuar vështirësi serioze për banorët, të cilët mbeten pa një nga lidhjet më të rëndësishme të zonës.
E përdorur nga të gjitha grupmoshat, lundra është jetike për komunitetin e Butrintit, pasi përmes saj qytetarët shkojnë në shkollë, në punë, si dhe kryejnë nevojat e tyre personale dhe familjare. Ndërprerja e funksionimit të saj paralizon jetën e përditshme dhe rrit ndjeshëm pasigurinë.
Pak kohë më parë, një qytetar ngriti publikisht shqetësimin se çfarë do të ndodhte me këta banorë në rast se lundra do të fundosej apo do të shembej, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Edhe pse shumë e konsiderojnë lundrën si një simbol të zonës, realiteti tregon se sa herë që ky “simbol” prishet, pasojat për komunitetin janë të rënda dhe të menjëhershme.