Situata e motit është përkeqësuar ndjeshëm si pasojë e reshjeve intensive të shiut, duke shkaktuar probleme serioze në disa zona. Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, një rrëshqitje masive dheu ka dëmtuar rëndë rrugën kryesore, duke e bërë atë të pakalueshme për automjetet dhe duke izoluar zonën.
Si pasojë e motit të keq, janë dëmtuar edhe dy banesa, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Ndërkohë, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati, duke shtuar rrezikun për përmbytje dhe dëme të tjera në zonat përreth.
Një nga banorët e prekur nga shembja e dy banesave ka folur për media, duke treguar momentet e frikshme të përjetuara gjatë natës. Ai u shpreh se rreth orës 02:00 muret e jashtme të shtëpisë u shembën papritur, duke vënë në rrezik jetën e familjes.
“Gjatë natës ranë muret e jashtme. U detyruam të ngriheshim menjëherë dhe të jepnim alarmin. Nxorrëm bagëtitë dhe shpëtuam për pak. Shtëpia është në rrezik shembjeje nga momenti në moment. Askush nuk guxon të futet brenda për të marrë diçka. Banesa është e re, vetëm tre vite kishim që e kishim përfunduar. Deri tani nuk kemi asnjë përgjigje konkrete. Kanë ardhur policia dhe përfaqësues të bashkisë, por ende nuk kemi asnjë zgjidhje,” u shpreh banori, duke theksuar se shpreson për dëmshpërblim.