Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës paraqitet disi më e qetë, por mbetet problematike në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi.
Një nga shqetësimet kryesore vërehet në zonën e Arapajt, ku kanalet kulluese rezultojnë të papastruara dhe tërësisht të bllokuara nga mbetje plastike, shishe dhe mbeturina të tjera urbane, duke u kthyer në një nga shkaqet kryesore të përmbytjeve.
Banorët thonë se kanalet nuk pastrohen kurré edhe pse meteorologët japin paralajmërime për përmbytje dhe pasojat detyrohen t’i vuajnë vetë.
Sipas të dhënave paraprake nga shtabi i emergjencave në prefekturën e Durrësit, rreth 800 banesa janë përmbytur, kryesisht në zonat më të ulëta dhe më problematike të qytetit, si ish-Këneta, Spitalla, Nishtulla dhe zona të tjera përreth.
Problem mbetet edhe situata në burgun e Durrësit, ku oborri dhe kati i parë i godinës vijojnë të kenë prani të lartë uji. Ndërkohë, mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla, pasi oborret e tyre janë ende nën ujë.
Deri mbrëmjen e kaluar janë evakuuar 304 persona, ndërsa numri i të prekurve pritet të rritet, në varësi të situatës në terren dhe verifikimeve në vazhdim. Uji është tërhequr nga rrugët kryesore dhe nga autostrada Durrës–Tiranë, duke normalizuar qarkullimin, por në disa lagje vijon ende prania e ujit, duke krijuar nevojë për ndërhyrje emergjente për banorët e izoluar.