Paraburgimi i Durrësit ende nën ujë, gardianët shkojnë në punë me gomone

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.01.2026, 10:34

Situata e motit në Durrës vijon të mbetet kritike edhe këtë të mërkurë, 7 janar, me pasoja të rënda nga përmbytjet e shkaktuara prej reshjeve intensive. Gjendja më problematike paraqitet në paraburgimin e qytetit, ku situata që prej ditës së djeshme ka mbetur e pandryshuar.

Kati i parë i institucionit është thuajse i gjithi nën ujë, me nivel që arrin në disa centimetra, duke e bërë të pamundur qëndrimin në qeli. Si pasojë, autoritetet kanë ndërmarrë transferimin e një pjese të të burgosurve në katin e dytë të godinës, mes tyre edhe ish-funksionarë të njohur publik.

Për shkak të përmbytjeve, hyrja dhe lëvizja brenda territorit të paraburgimit kryhet me mjete alternative. Gardianët dhe përfaqësues të tjerë të institucionit janë detyruar të përdorin gomone për të hyrë në ambientet e burgut.

Përmbytjet kanë prekur gjithashtu zonën përreth institucionit, ku e gjithë zona e njohur si Këneta ndodhet nën pushtetin e ujit. Përveç disa akseve kryesore, rrugët dytësore, banesat dhe bizneset janë të mbuluara nga uji, duke krijuar vështirësi serioze për banorët.

Situata mbetet e rënduar, ndërsa autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm për menaxhimin e emergjencës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit