Për shkak të motit të keq dhe situatës së krijuar nga reshjet e dendura, autoritetet lokale kanë vendosur pezullimin e mësimit në të gjitha shkollat e qytetit të Gjirokastrës duke nisur nga dita e mërkurë.
Në pjesën më të madhe të qytetit është konstatuar prezencë e madhe inertesh në rrugë dhe zona të banuara, çka kërkon ndërhyrjen e mjeteve të rënda për pastrimin e tyre. Ndërkohë, reshjet e shiut kanë ulur intensitetin gjatë orëve të fundit.
Situata paraqitet problematike edhe në akset rrugore. Aksi nacional Gjirokastër–Kakavijë është bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat, ku punonjësit e firmës mirëmbajtëse ndodhen në terren dhe po punojnë për hapjen e rrugës. Po ashtu, është raportuar bllokim edhe në rrugën Gjirokastër–Valare, në vendin e quajtur Ura e Aznakut.
Sa i përket situatës hidrike, niveli i lumit Vjosa në Memaliaj ka arritur në 6.5 metra. Nga bashkitë e tjera të qarkut Gjirokastër, deri në këto momente, nuk raportohen situata emergjente. Autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimet dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes.