Banorët e fshatit Luzhë në Tropojë përballen me një problem të gjatë dhe të rrezikshëm, pasi prej dekadash mungon një urë kalimi që lidh zonën me tokat dhe shkollat e fëmijëve. Gjatë periudhave me reshje të shumta, lumi që kalon aty mbushet shpejt, duke bërë të pamundur dhe shumë të rrezikshëm çdo lëvizje për banorët.
Mungesa e urës ka vështirësuar jetën e banorëve të fshatit, veçanërisht për familjet që kanë nevoja jetike dhe për fëmijët që duhet të shkojnë në shkollë. Banorët denoncojnë se situata ka mbetur e pazgjidhur për më shumë se 30 vjet, duke i lënë ata të izoluar dhe të rrezikuar çdo herë që lumi del nga shtrati.
Komuniteti kërkon ndërhyrje urgjente nga bashkia Tropojë me kryetar aktual Rexhë Byberin për ndërtimin e një ure kalimi, e cila do të siguronte qasje të sigurt për banorët dhe do të evitonte rreziqet e larta që paraqet mungesa e kësaj infrastrukture thelbësore. Situata është bërë një problem jetik që kërkon vëmendje të menjëhershme për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin në zonë.