Banorët e zonës së Kirit në Dukagjin, Shkodër, po përballen me një situatë shumë të vështirë për shkak të rrëshqitjeve të dheut që kanë bllokuar rrugën kryesore. Sipas banorëve, rruga është kthyer në një rrezik serioz edhe për këmbësorët, pasi rrëshqitjet janë të vazhdueshme dhe kalimi është pothuajse i pamundur.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga bashkia Shkodër me kryetar Benet Becin, apo institucionet tjera përkatëse për të inspektuar apo stabilizuar situatën.
Si pasojë, banorët janë të izoluar totalisht, pa energji elektrike, pa rrugë të aksesueshme dhe pa shërbime shëndetësore, duke përfshirë mungesën e një infermieri në zonë. Ata bëjnë thirrje urgjente për ndihmë dhe ndërhyrje të menjëhershme, pasi situata paraqet rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e tyre, veçanërisht në kushtet e motit të paqëndrueshëm.
"Përshëndetje, doja t’ju dërgoja disa pamje nga rruga e Dukagjinit, Shkodër. Kjo situatë ndodhet në Kir dhe deri më tani nuk ka ardhur asnjë person për ta parë nga afër apo për të ndërhyrë. Rruga është shumë e rrezikshme për t’u kaluar, madje edhe për këmbësorët, pasi ka rrëshqitje në çdo moment. Jemi të bllokuar totalisht dhe nuk kemi as drita, as rrugë funksionale, as infermier apo ndihmë mjekësore. Situata është shumë e vështirë dhe kërkon ndërhyrje urgjente", shkuhet në denoncim.