Emiriana Sako lë në mëshirë të fatit nënën me katër fëmijë që iu përmbyt shtëpia

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 07.01.2026, 01:10

Një qytetare nga Durrësi i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të rëndë, ku ajo dhe fëmijët e saj janë lënë plotësisht në mëshirë të fatit nga institucionet vendore.

Sipas saj, përmbytja që ka goditur banesën ka shkaktuar dëme të mëdha ku muret janë lagur rëndë, uji ka depërtuar brenda dhe ka bërë ambientin të pabanueshëm, sidomos për fëmijët e vegjël. Ajo është nënë e katër fëmijëve, nga 9 muajsh deri në 1 vit e gjysmë, të cilët po përballen me kushte të vështira, lagështirë dhe të ftohtë.

Qytetarja tregon se ka kontaktuar Bashkinë e Durrësit, ku i është premtuar që do të vinte ndihma dhe do të gjendej një vend i sigurt për të strehuar familjen, por kjo nuk ka ndodhur kurrë. “Na thanë do vijmë t’ju marrim, se s’ke ku të rrish aty me fëmijë të vegjël. U detyrova të largohem vetë. Prita deri në orën 17:00, por askush nuk erdhi. Vetëm mashtrime,” – shprehet ajo.

Ajo ngre pyetjen se ku duhet të shkojë, kur shtëpia nuk është më e sigurt dhe fëmijët rrezikojnë të sëmuren nga lagështira dhe të ftohti, ndërkohë që institucionet heshtin. “Kjo gjendje nuk rregullohet për një kohë të gjatë. Uji ka depërtuar nga jashtë në muret e brendshme të shtëpisë. Fëmijët po vuajnë,” – shton ajo.

Rasti i kësaj familjeje është një tjetër dëshmi e neglizhencës së institucioneve, ku qytetarët mbeten të pambrojtur në momente emergjence, ndërsa premtimet mbeten vetëm fjalë.

JOQ Albania i bën thirrje Bashkisë së Durrësit dhe institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë menjëherë dhe të marrin masa konkrete për familjen, përpara se situata të përkeqësohet edhe më shumë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit