Situata në Durrës vijon të jetë shqetësuese pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura. Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e rënduar në lagjen nr. 15, në rrugën “Aleksandër Goga”, ku niveli i ujit vijon të mbetet në nivele alarmante, duke krijuar rrezik serioz për banorët dhe drejtuesit e mjeteve.
Sipas qytetarit, zona ndodhet pranë një kanali të madh kullues, por aktualisht uji është bërë njësh me rrugën, duke e bërë të pamundur dallimin nëse po lëvizin në rrugë apo rrezikojnë të përfundojnë në kanal. Ai thekson se situata është kthyer në një rrezik real, ndërsa frika mes banorëve është e madhe.
Në mesazhin e dërguar, qytetari shprehet se qarkullimi me automjete është i pamundur dhe se banorët janë të bllokuar prej orëve të mëngjesit. Sipas tij, pavarësisht situatës, nuk është marrë asnjë masë nga Bashkia e Durrësit apo strukturat e emergjencave.
“Uji është kudo. Nuk dihet më nëse jemi në rrugë apo në kanal. Jemi të bllokuar që në mëngjes dhe nuk ka ardhur askush. As nga bashkia, as nga emergjencat, as nga qeveria. Nuk kemi marrë asnjë lloj ndihme”, shprehet ai.
Qytetari apelon për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se çdo vonesë mund të sjellë pasoja të rënda, pasi niveli i ujit vijon të rritet dhe rreziku mbetet konstant për banorët e zonës.