Reshjet shkaktojnë përmbytje edhe në Kavajë: Uji na hyri në shtëpi, Bashkia s’merr asnjë masë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.01.2026, 23:41

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë ditës së sotme kanë sjellë përmbytje masive në disa qytete. Qytetarë të ndryshëm kanë raportuar probleme edhe në Kavajë, ku situata paraqitet e rënduar në disa zona.

Një familje i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar përmbytjen e banesës së tyre. Sipas kryefamiljarit, uji ka depërtuar brenda shtëpisë, duke e bërë të pamundur qëndrimin, ndërsa ndihma nga institucionet vendore ka munguar, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme.

Në videon e dërguar, ai shprehet se ka kontaktuar Bashkinë e Kavajës, por sipas tij, telefonatat nuk janë marrë dhe nuk është ndërmarrë asnjë masë, edhe pse familja ka fëmijë të vegjël. Ai pretendon se përmbytja është shkaktuar nga mosfunksionimi i kanalit kullues pranë banesës.

“Shikoni sa ujë është futur brenda. I kam telefonuar Bashkisë, por nuk më hapin telefonin. Kanali matanë nuk është hapur dhe gjithë uji ka ardhur këtu në shtëpi. Uji vazhdon të futet nga jashtë. Unë po mbytem e po vuaj, ndërsa nga Bashkia nuk ka asnjë reagim”, shprehet ai në pamje.

Familjarët bëjnë apel për ndihmë urgjente, duke theksuar se ndodhen në zonën pranë ish-repartit ushtarak, tek parku, dhe se aktualisht janë ende të rrethuar nga uji. Sipas tyre, nuk u është ofruar asnjë mbështetje, ndërsa situata është bërë edhe më e vështirë për shkak të mungesës së rrobave dhe kushteve minimale për fëmijët.

Ata i drejtohen me apel Bashkisë së Kavajës dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për t’i dhënë zgjidhje situatës, duke theksuar se çdo vonesë rrezikon shëndetin dhe sigurinë e familjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit