Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me incidentin e ndodhur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku një mjek u arrestua pasi ushtroi dhunë ndaj kryeinfermieres së institucionit.
Sipas Policisë, efektivët e Komisariatit nr. 3 arrestuan mjekun Julian Habibaj, 53 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Ngjarja ka ndodhur gjatë orarit të punës, brenda ambienteve të maternitetit ku ai ushtronte profesionin.
Kryeinfermierja ka kallëzuar se konflikti nisi pasi ajo i kërkoi mjekut të merrte dhe të plotësonte protokollin përkatës që duhej ndjekur për një paciente. Sipas denoncimit, mjeku ka kundërshtuar kërkesën, ka kaluar në ofendime verbale dhe më pas e ka kapur për fyti me duar, duke i shkaktuar edhe shenja të dukshme fizike.
Burime nga institucioni shëndetësor bëjnë me dije se ndaj mjekut Habibaj kishin qenë të regjistruara më parë 11 shkelje disiplinore për sjellje dhe veprime të ndryshme brenda stafit. Megjithatë, kjo është hera e parë që ai është kallëzuar në polici për një incident të tillë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në opinionin publik, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë dhe klimën e punës në institucionet shëndetësore, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.