Tirana bëhet e paarritshme për banesë: deri në 5,500 €/m², të rinjtë drejt emigracionit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.01.2026, 21:52

Çmimet e banesave në Tiranë kanë hyrë në një fazë alarmante, duke u shkëputur ndjeshëm nga ritmi i rritjes së të ardhurave. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se çmimet janë rritur shumë më shpejt sesa pagat, duke e bërë blerjen e një shtëpie gjithnjë e më të pamundur për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë.

Në kryeqytet, çmimet variojnë nga rreth 2,000 euro për metër katror në zonat periferike, deri në mbi 5,000 euro/m² në zonat më të kërkuara. Në lagjen e Blokut, çmimi arrin deri në 5,500 euro/m², ndërsa në komplekset e reja në periferi apartamentet tregtohen nga 1,400 deri në 2,000 euro/m².

Sipas Indeksit Fisher të Bankës së Shqipërisë, çmimet e banesave u rritën me 40% në gjysmën e parë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në qershor, çmimi mesatar i kërkuar për një metër katror në një ndërtesë ekzistuese në Tiranë ishte 1,830 euro.

Kundrejt këtyre çmimeve, një shqiptar me pagë mesatare prej rreth 770 eurosh e ka pothuajse të pamundur të blejë një shtëpi. Të ardhurat mesatare në Shqipëri janë rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të Ballkanit, ndërsa çmimet e pronave po ecin në drejtim të kundërt.

Për të blerë një apartament 70 metra katrorë në Tiranë, nevojiten rreth 19 vite pagë mesatare bruto. Kjo e rendit Tiranën ndër kryeqytetet më të paarritshme në Europë për blerjen e banesave, në të njëjtin nivel me Athinën dhe Amsterdamin. Për krahasim, në vendet e Bashkimit Europian nevojiten mesatarisht 10–12 vite pagë për të shlyer një banesë.

Rritja më e shpejtë e çmimeve është regjistruar në zonat e Porcelanit, Parkut Olimpik dhe Liqenit Artificial, ku brenda pak muajsh çmimet janë rritur me përqindje dyshifrore.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se emigracioni masiv ka arritur pikën kulmore dhe se sektori i ndërtimit mund të përballet me një krizë në të ardhmen e afërt.

Sipas specialistëve, për ta bërë strehimin më të përballueshëm nevojiten dy hapa kyç: rritja reale e të ardhurave të popullsisë dhe hartimi e zbatimi i politikave të synuara të strehimit, që do të ndihmonin qytetarët vendas të sigurojnë një banesë në tregun gjithnjë e më të shtrenjtë të Tiranës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit