Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë futur qytetin e Gjirokastrës në një situatë alarmante. Përroi i Cullos ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe duke paralizuar qarkullimin në disa prej zonave kryesore të qytetit.
Sipas raportimeve të banorëve, lëvizja është pothuajse e pamundur, ndërsa uji ka pushtuar rrugë, trotuare, si dhe ambiente pranë banesave dhe bizneseve. Në disa zona, situata paraqitet e rrezikshme edhe për këmbësorët dhe mjetet, ndërsa frika për dëme më të mëdha mbetet e pranishme.
Ajo që shqetëson më shumë qytetarët është mungesa e reagimit institucional. Sipas tyre, kjo nuk është hera e parë që Gjirokastra përmbytet pas reshjeve intensive, duke ngritur dyshime serioze për mungesën e masave parandaluese dhe dështimin për të ofruar një zgjidhje afatgjatë.
Bashkia e Gjirokastrës, e drejtuar nga Flamur Golemi, kritikohet ashpër për menaxhimin e dobët të infrastrukturës, pastrimin e pamjaftueshëm të përrenjve dhe kanaleve kulluese, si dhe për mungesën e investimeve që do të parandalonin situata të tilla të përsëritura. Për shumë banorë, përmbytjet nuk janë më “fenomen natyror i papritur”, por pasojë direkte e neglizhencës institucionale.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, transparencë dhe mbajtje përgjegjësie nga autoritetet lokale. Ata theksojnë se nuk është e pranueshme që çdo vit, me reshjet e para intensive, qyteti të kthehet në një zonë rreziku, ndërsa reagimi vjen vetëm pasi dëmi është bërë.
Në një qytet me status historik dhe potencial të madh turistik, përmbytjet e përsëritura dhe heshtja e institucioneve përbëjnë një njollë të rëndë. Gjirokastra ka nevojë për zgjidhje konkrete dhe veprime urgjente, jo për justifikime dhe premtime boshe.