Reshjet intensive të shiut ditën e sotme kanë sjellë një gjendje emergjente në fshatin Oreshkë, njësia Administrative Çërnalevë, Kukës.
Si pasojë e reshjeve të shumta, janë regjistruar rrëshqitje dherash dhe shembje të rrugës, duke vënë në rrezik rreth 600 banorë të zonës.
Banorët shprehen se situata paraqitet mjaft e rrezikshme, ndërsa lëvizja është e vështirë dhe në disa segmente pothuajse e bllokuar.
Ndërkohë, probleme serioze janë evidentuar edhe në fshatin Grykë Çaje dhe në rrugët e qytetit të Kukësit, ku rrëshqitjet e dherave, gurëve dhe pemët e rrëzuara po rrezikojnë kalimtarët dhe mjetet.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse, pasi situata mund të përkeqësohet nga momenti në moment.